Gjermani, 25 gusht 2014 – Angela Merkel gjatë një interviste për televizionin gjerman ARD u pyet lidhur me akuzat se shërbimi inteligjent BND ka përgjuar Turqinë dhe Shqipërinë. Kancelarja refuzoi të jepte një koment, por ajo nuk i mohoi akuzat.
Gazetari i kujtoi deklaratën e saj në momentin kur shpërtheu skandali i përgjimit të Gjermanisë nga SHBA-të, kur Merkel pati thënë se, “përgjimi mes miqve nuk është i pranueshëm” dhe shtoi se BND ka përgjuar aleatët e Gjermanisë në NATO, Turqinë dhe Shqipërinë.
“E para, duhet të kuptoni që nuk jap detaje nga puna e BND.
Së dyti, shprehja “nuk duhet të ketë spiunazh mes miqsh” është thënë në kontekstin e aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky kontekst është i rëndësishëm.
Në fund, BND-së i është kërkuar që të sigurojë nga jashtë të gjithë informacionin e nevojshëm për sigurinë tonë.
Dhe nga brenda, llogaridhënia i përket Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Dhe unë besoj, sidomos duke pasur parasysh kërcënimet në rritje, që puna e shërbimeve të inteligjencës do na duhet edhe më tej,” tha Merkel.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





