Deputeti i opozitës së re Lefter Maliqi ka kërkuar shpërndarjen e Parlamentit. Një ditë pas publikimeve të përgjimeve nga gazeta gjermane Bild, Maliqi në një status në Facebook thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

"Parlamenti duhet të shpërndahet. Vendi te kalojë në zgjedhje të parakohshme. Përgjimi i shitblerjeve të votave, ndërhyrja e grupeve kriminale tregon se deputetet, drejtoret, kryetaret e Bashkive etj zgjidhen, vendosen dhe emërohen nga krimi. Çdo institucion ka rënë. Jemi në dorë të krimit, paaftëve, servilëve, oligarkëve. Shkaku është sistemi i kalbur elektoral, korrupsioni dhe krimi i organizuar", tha Maliqi.

Maliqi kërkon që qytetarët të marrin vetë në dorë fatet, duke bërë thirrje për protesta.

"E ardhmja e vendit është ne rrezik, jemi të pasigurt nën kthetrat e krimit. Shqiptarët të marrin në dorë o sot o kurrë fatet e vendit. Protesto fuqishëm kundër krimit të organizuar mos u ndal për drejtësi për votë të lire, për të ardhmen e sigurt", u shpreh ai.