Trafikantët e drogës e kishin pagëzuar heroinën me kodin “veza” dhe destinacioni i saj ishte Greqia. Personi që do ta transportonte drogën në shtetin fqinj, kur u kap para dy vitesh në Kapshticë, u gjet me pesë pako heroinë poshtë bluzës. Të dhënat mësohen zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila kërkon dënimin me 11 vjet burg të Ervis Haskollit. Sakaq, gjashtë anëtarët e tjerë të këtij rrjeti kriminal kanë përfituar gjykim të shkurtuar. Prokuroria për Krime të Rënda kërkon që Renato Shopi të dënohet me 14 vjet burg, Aleks Kreci me 13 vjet, Shyqyri Hasalla me 13 vjet, Ardian Shurdha me 12 vjet, Eli Djali me 11 vjet dhe Dritan Qesja të dënohet me 11 vjet burgim.

Më 16 prill të vitit 2014, pranë Pikës Kufitare të Kapshticës ata u kapën me 2.6 kg heroinë. Në mjetin tip “Ford” (furgon) me targa DV 213 A, Shurdhës iu gjetën poshtë bluzës pesë pako heroinë. Bashkë me të udhëtonin edhe Djali e Qesja, teksa Hasalla, Kreci dhe Hasankolli ishin në një “Mercedez Benz” me targa AA245AE, që i paraprinte furgonit, ndërsa në Elbasan u kap Shopi. Në orën 19:19 të datës 12.04.2014, komunikohet mes Renatos dhe Shyqyriut, ku është përgjuar biseda.

“Ho mo t’keqen ça bone. Ho, alo, ik ik se llafosemi nesër hajt. Po ça nesër, un jam ktu ke ty, ça po thu o burr. Epo ika un o burr, pse s’more n’telefon ti? O je n’terezi o t’keqen vllai, ça po thu o burr, ça t’marr n’telefon un ime. Ime … atë muhabetin e. Po e ore. Po ik ore thërrite çunin anej posht ime. T’ia jap çunit? Eee, jepja çunit, çoji nalt thuj ke sirtari babës. T’ia jap kto lekët atit uno çunit? Po mir o pra ho. At 50 ershin e atit. Mir mir po hajt. T’ia jap çunit thash ore? Eee po jepja çunit e mos fol n’telefon o burr se e mora vesht”. Pas kësaj, në orën 19:21 Shyqyriu i telefonon Renatos. “Ha t’keqeen. Bje i çik çunin aty. Ja i sekond (ja o lali babin). Juli … merri ato vezët o bab çoji atje ke komodina ime, a ngjove? Vezët, vezët. Mir. Nuk e more vesht ti, hajt”.

Në orën 19:22 të po asaj date komunikohet mes Aleks Krecit (Klodit) dhe Shyqyriut.

“Ho mo ça bon. O Klod. He. E ça ke? Hiç asigjo, kot mora un kot. Hajt takojm nesër se erdhi aj mtakoi mu gjoja për nesër, po pasnesër e lash me atë tjetrin un. Mirë mrregull bravo”.

Pas 10 minutash ata flasin përsëri.

“Po mir se ndofta pret për nesër aj Renato thuj ti pasnesër. Ore erdhi aj për nesër po aj aj se mund tikësh ne nesër ti ene tmarr ato ene, ke parasysh. Aaa, po pse ore ikim prejher ne pse çar. Haj se llafosemi nesër ne … se për nesër erdhi aj pruni ne ato ne ato … Po mir pasnesër. Si? I them atij. Po mir pra jam dakord. E do marrë vulën nesër dhe pasnesër do iki”.

Në telefonatën e orës 21:54 të po asaj date, Shyqyriu i tha Renatos se kishte parë një makinë që kishte kaluar disa herë para tij dhe dyshonte mos ishte ndonjë makinë policie, prandaj i kërkoi Renatos ta verifikonte. Në 14.04.2014, në orën 14:11, Shyqyriu i telefonon një femre dhe kjo i thotë:  “He ja po e shef ime se është në gjumë ajo andej”. Shyqyriu i kërkon të dije qysh i del rruga çunit, nga këtu deri në doganë.  Femra: “Xham e ka”. Shyqyriu i thotë “Po shife i çik për mu qysh, kam noj problem kshu unë? Kam roja prapa? Se kaloi nji sot knej”. Ajo i thotë: “Janë nja tre veta”. Në fund Shyqyriu shprehet se “sonte nuk e di unë lëviz nuk lëviz … e rrezik nuk lëviz sot se ashtu është puna se i kanë nejt mrom te shpija këtij shokut se e kemi lon, procedurë tjetër ai …”.

Gazeta "Shqip"