Gjykata e Apelit të Posaçëm ka zbardhur arsyetimin për lënien në burg të Erion Veliajt, duke argumentuar se ai paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe mund të ndikojë në hetime apo të prishë provat.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, një pjesë e materialit që mbështet këtë masë sigurie vjen nga përgjimet e Veliajt brenda ambienteve të paraburgimit në Durrës. Në këto komunikime, ai fliste me të vëllain për përfshirjen e një avokati amerikan dhe mbështetjen nga disa figura mediatike, duke përmendur se “është shumë e rëndësishme të kemi përkrahjen e redaktorit”.
Gjykata thekson se Veliaj ka ndërmarrë një fushatë denigrimi ndaj organeve të drejtësisë, duke rritur rrezikun për intimidim të dëshmitarëve, si dhe të shmangies nga drejtësia. Ai po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Si precedent, gjykata përmend raste të tjera të zyrtarëve të arrestuar për akuza të ngjashme si Lefter Koka, Fatos Tushe dhe Vangjush Dako, duke theksuar se rasti i Veliajt nuk përbën përjashtim.