Dy adoleshentë janë arrestuar këtë javë në Holandë, nën dyshimin se ishin pjesëtarë të rrjetit spiunazh rus, raportoi sot gazeta holandeze Telegraaf.

Prokuroria holandeze konfirmoi se dy të rinj të moshës 17-vjeçare u arrestuan të hënën dhe se rasti lidhet me një “ndërhyrje të mbështetur nga një (shtet) i huaj”, pa dhënë më shumë detaje, për shkak se të dyshuarit janë të mitur.

Sipas babait të njërit prej të arrestuari, adoleshentët ishin në zonën e Hagës, ku ndodhen zyrat e Europol-it (Policia Evropiane), Eurojust-it (Shërbimi i Bashkëpunimit Gjyqësor të BE-së), si dhe shumë ambasada.

Ata kishin me vete një pajisje ose një aplikacion të krijuar për të “kapur” të dhëna që dërgohen përmes rrjeteve digjitale.

Kryeministri holandez Dick Schoof tha në një konferencë shtypi se rasti përputhet me sulmet hibride që Rusia po ndërmerr masivisht në Evropë, përfshirë edhe sulme kibernetike.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese që këta fëmijë janë përdorur për diçka të tillë”, tha ai.

Eurojust ka ndihmuar në krijimin dhe strehimin e një ekipi të përbashkët hetimor, në bashkëpunim me Ukrainën, disa vende të BE-së, Europol-in dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), për të hetuar krimet e pretenduara ruse që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

Shërbimi i inteligjencës holandez AIVD nuk ka dhënë ende asnjë reagim për këtë rast.