TIRANE, 16 prill 2013– Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave pak ditë më parë, vendimi për përgjysmimin e taksave për makinat e përdorura u miratua sot edhe në Komisionin e Ekonomisë. Zv/ministri i Financave Alfred Rrushaj shpjegoi në Komision përfitimet që do të kenë familjet shqiptare nga ky vendim, si dhe efektin që do të sjellë ky ligj në buxhetin e shtetit.
“Kjo nismë në ndihmë të familjeve shqiptare. Parashikohen të rriten arkëtimet e të ardhurave. Efekti në buxhet është 2.5 miliardë lekë.”- deklaroi Rrushaj.
Edhe deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë votuan pro përgjysmimit të taksës për mjetet e përdorura, por akuzuan mazhorancën që po ul taksat vetëm për qëllime elektorale. Deputetja e PS-së Mimi Kodheli deklaroi se është bërë vetëm për qëllime politike, në prag të zgjedhjeve të qershorit.
Ndryshimi parashikon përgjysmimin e taksës fikse për karburantin, nga 25 në 12.5 për naftën dhe nga 20 në 10 për benzinën. Formula e llogaritjes së taksës vjetore shumëzon cilindratën e motorit të makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit. Përgjysmimi i kësaj të fundit sjell rrjedhimisht përgjysmimin e pagesës për çdo makinë. Përgjysmimi i taksës vlen edhe për të gjitha mjetet e tjera, pasi në ligj nuk është parashikuar përjashtimi i tyre. Kështu, krahas veturave dhe furgonëve, përfitojnë edhe kamionët apo autobusët.





