Tiranë, 1 prill 2014 – Dërgesat e emigrantëve për 2013 ranë në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar emigrantët transferuan në Shqipëri 497 milionë euro, në rënie me 26% krahasuar me një vit më parë.
Remitancat pothuajse janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2007, kur arritën edhe pikun me një vlerë prej 952 milionë eurosh. Kriza e vendeve fqinje po mpak vit pas viti një burim të rëndësishëm të rritjes së ekonomisë shqiptare. Dërgesat e emigrantëve janë mjet jetese për shumë familje me të ardhura të ulëta, ndaj rënia e tyre jo vetëm ndikon negativisht konsumin, por përbën kërcënim për rritje të varfërisë.
Paratë e emigrantëve po e mbështesin shumë më pak konsumin e familjeve apo investimet rezidenciale dhe tregun e ndërtimit. Ulja e remitancave po e bën çdo vit e më të qartë nevojën që Shqipëria të bëjë realisht përpjekje për të lëvizur drejt një modeli ekonomik të mbështetur më shumë te prodhimi i brendshëm. Në tendencë të kundërt me remitancat, investimet e huaja direkte u rritën gjatë 2013, madje prekën vlerën më të lartë të viteve të fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar në Shqipëri u investuan 923 milionë euro kapital i huaj, në rritje me 38% krahasuar me vitin 2012. Megjithatë, kjo shifër i detyrohet në një pjesë të konsiderueshme privatizimeve të gjysmës së parë të vitit dhe nuk refleton plotësisht nisma të reja të investitorëve nga jashtë. Kriza ekonomike dhe konkurrenca e lartë nga vendet e tjera të Rajonit shtrojnë domosdoshmërinë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe gjetjen e incestivave për të tërhequr investitorët e huaj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





