Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka filluar inspektimet në burgje për masat ndaj COVID-19.

Gjonaj e ka filluar nga Rrogozhina ku më parë ka pasur raste pozitive, teksa kërkoi që mos ketë asnjë tolerancë për masat. Po ashtu ajo ka kërkuar që pandemia mos shërbejë si justifikim për uljen e vigjilencës.

Ajo ka folur dhe për rritje pagash ku ka theksuar se rroga e një polici burgu do të barazohet me atë të një polici të shtetit në bazë të vështirësisë së punës, vjetërsisë dhe gradës. Gjonaj deklaroi se rritja e pagave të personelit të burgjeve përbën një shtytje mjaft pozitive pasi është hera e parë që miratohet dhe realizohet.

Ministrja Gjonaj theksoi se do të tregojë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi nga stafi i burgjeve dhe i kërkoi Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili që krahas vëmendjes maksimale për masat anticovid, të garantojnë sigurinë, të mos bëjnë asnjë lëshim dhe se çdo rast abuzimi me detyrën, do të konsiderohet shkelje e rëndë.

Gjithashtu Gjonaj kërkoi të rritet vëmendja ndaj sendeve të ndaluara që tentohet të hyjnë në IEVP, si në rastin e celularëve, etj.

Gjatë inspektimit Ministrja e Drejtësisë Gjonaj deklaroi se shumë shpejt do të vendosen në funksion kartelat elektronike të të dënuarve, si një risi në sistemin penitenciar në Shqipëri.