DURRËS 24 qershor 2014 – Masmedia turke i ka kushtuar vëmendje vizitës së një delegacioni të Bursës së Mallrave të Izmirit në Shqipëri dhe Durrës.
Në kuadër të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar (KASH), delegacioni nga Bursa e Mallrave e Izmirit (ITB- İzmir Ticaret Borsası) e kryesuar nga Insisu Kastelli, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, për t’u njohur nga afër me potencialet e bujqësisë shqiptare dhe për t’i hapur rrugë zgjerimit të marrëdhënieve të biznesit midis kompanive turke dhe shqiptare.
Delegacioni u prit nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe stafi i tij. Bisedimet në këtë takim u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, dhe veçanërisht në futjen ose kuotimin e prodhimeve bujqësore shqiptare në Bursën e Mallrave të Izmirit, Turqi.
Delegacioni nga Bursa e Mallrave e Izmirit, zhvilloi një vizitë në Maminas të Durrësit, me përfaqësues të shoqatës AFADA, në mjediset e kompanisë “Arli Internacional”, e krijuar në vitin 1992 nga biznesmeni Agim Rameta.
Po ashtu kryetarja e delegacionit znj. Isinsu Kestelli, e shoqëruar nga Dr. Madhu Krishan, Themelues dhe Kryetar i Akademisë së Paqes Universale Globale; Kryetar Nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet të OKB-së, zhvilloi një bisedë me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, z. Andrea Xhovara.
U diskutua për potencialet e bujqësisë në qarkun e Durrësit dhe ngritjen e një platforme elektronike për kuotimin e perimeve në bursën e Izmirit.
Z. Xhavara shprehu gatishmërinë e biznesit durrsak për projekte të përbashkëta me sipërmarrjen turke, thuhet në njoftimin e Bursës së Mallrave të Izmirit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





