Operacioni i koduar policor, “Perimetri”, është shtrirë në të gjitha pikat kufitare të vendit. Policia ka vendosur në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi po transportonin 22 emigrantë të paligjshëm.
Në pranga kanë rënë shtetasit: Elton Zaçellari, 39 vjeç, Erbi Tollja, 19 vjeç, Ardit Tollja, 40 vjeç dhe në kërkim është shpallur një 20-vjeçar nga Maliqi, A. Ç. Sipas njoftimit zyrtar, këta shtetas i kërkonin emigrantëve shumën e 1200 eurove për person, me premtimin se do i dërgonin në një vend të BE.
Ngjarja
Shërbimet e policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin E. Z., duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz”, 16 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga veprimet hetimore të mëtejshme dyshohet se edhe shtetasit E. T. dhe A. T., janë bashkëpunëtorët e 39-vjeçarit në këtë veprimtari të paligjshme, pasi u kapën me mjetin tip “Audi”, duke kryer mbikëqyrjen e rrugës.
Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, është konstatuar mjeti tip “Opel”, me drejtues shtetasin A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, të cilit shërbimet e policisë gjatë ndjekjes, i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por ky shtetas është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin, me 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro secili, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga ana e policisë, po punohet për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.
“Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik””,- njofton policia.





