“Unë i quaj këta njerëz rrugaçë, nuk janë tifozë dhe nuk duhet të jenë të pranishëm në stadiume. 90% e tifozëve kroatë duhet të turpërohen nga kjo minorancë”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Kroacisë, Ante Cacic, i cili, kur skuadra e tij po kryesonte 2-1, tri minuta para fundit të ndeshjes, ka parë një cep të fushës të ndriçohet nga tymues të hedhur nga tifozët e tij. Madje, siç ka thënë ai, rrugaçë, në gjendje të pezullojnë ndeshjen për 6 minuta, duke shpërqendruar lojtarët deri në atë pikë sa kanë pësuar golin e barazimit në minutat e fundit kundër republikës Çeke.

“Është për të ardhur keq për atë që ka ndodhur. Shpresoj që të bëhet gjithçka është e mundur për të ndalur këta rrugaçë, por UEFA nuk mund ta fitojë këtë betoj e vetme. Ekzistonte frika që një gjë e tillë mund të ndodhte. Janë terroristë të sportit. Për sa i takon ndeshjes, problemi kryesor ka qenë dëmtimi i Modric, por kemi humbur përqendrimin pikërisht për shkak të incidentit që ka ndodhur”, ka thënë trajneri i Kroacisë. Ndërsa ka qenë akoma më i ashpër qëndrimi i mbajtur nga Ivan Perisic: “Nuk e kuptoj sjelljen e këtyre njerëzve, që ndoshta nuk janë aspak të interesuar për ndeshjen”, ka thënë internisti.“Ndoshta do të ishte më mirë të mos luanim më sepse nuk mund të vazhdojmë kështu. Tani UEFA mund të na ndëshkojë rëndë, por shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Këto skena janë një turp për vendin tonë dhe duhet të gjejmë një zgjidhje”. Për rrezikun e përjashtimit ka folur edhe lojtari i Barcelona-s, Ivan Rakitic, i cili është përgjigjur në këtë mënyrë kur është pyetur për ndeshjen e fundit në grup kundër Spanjës: “Jam i sigurt se UEFA do të na ndëshkojë pas këtij turpi. Nuk ka kuptim të flasim për ndeshjen me Spanjën sepse mund të përjashtohemi nga Europiani”.