Trashëgimia kulturore e Durrësit po regjistron ditët më të arta të saj. Kjo për shkak të fluksit të madh të turistëve, që vizitojnë monumentet më të rëndësishme të periudhës së antikitetit, siç është amfiteatri i shekullit II e.s. Krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar, shifrat janë 49% më të larta.
“Kemi një rritje të vazhdueshme nga viti në vit, por ky vit duket që është më i ngarkuar me turistë. Nga janari dhe deri në maj të vitit 2023 kemi rreth 5000 turistë dhe për të njëjtën periudhë të këtij viti kemi rreth 8000 turistë, pra një rritje 49%. Kjo bën që dhe të ardhurat të jenë të larta, 1.224.810 lekë”,- thotë për “DurrësLajm” Jona Saraçi, specialiste e amfiteatrit.
Amfiteatri ende nuk e ka zbuluar gjithë potencialin e tij historik, pasi projekti për zbulimin e plotë të tij nuk është vënë në zbatim, por fakti që ai është ruajtur në formën origjinale i mahnit turistët.
“Isha 2 javë më parë në Siçili. Kam parë edhe në Itali dhe Greqi amfiteatro, por atje i kanë rikonstruktuar. Ndërkohë i juaji është lënë në formën origjinale”.
“Shqipëria është super. Është vetëm dita e parë këtu dhe jemi në amfiteatër. U surprizova shumë, kur e pashë.”
“Nuk kemi parë ende shumë nga trashëgimia juaj kulturore. Shpresojmë të shohim në vazhdim shumëçka nga traditat shqiptare. Ky është qytet turistik dhe amfiteatri na pëlqeu shumë. Imagjinoj sesi ka qenë në kohën e periudhës romake”.
“Para 6 muajsh, në televizor dëgjova për vendin tuaj. Na u duk kaq bukur sa vendosëm të vinim. Vijmë nga Mynihu, Gjermani. Sot është dita jonë e parë e qëndrimit dhe po shohim amfiteatrin. Shumë bukur”,- ishin disa nga opinionet e turistëve nga Polonia, Britania e madhe, dhe Gjermania, që po vizitonin amfiteatrin këtë të martë.
Shqipëria po regjistron vit pas viti shifra në rritje përsa i përket numrit të turistëve, por fakti më interesant është se të huajt po vijnë nga të gjitha vendet e botës.
“Një ditë ka ardhur një shqiptar i martuar me një shtetase nga Mongolia. Ajo mbeti e mahnitur nga ky monument kaq origjinal dhe kaq i bukur. Nuk e kisha menduar se do të vinin mongolë të shihnin amfiteatrin”,– thotë specialistja Saraçi.
Megjithëse me një pjesë të konsiderueshme të monumenteve të kulturës në proces restaurimi, Durrësi vijon të mbetet tërheqës për të huajt. Shifra të larta të ardhurash janë regjistruar edhe nga Torra Veneciane, e cila hapi dyert një vit më parë, pasi iu nënshtrua restaurimit.
Sipas statistikave zyrtare, 7767 vizitorë janë regjistruar në periudhën janar – maj 2024, ndërkohë të ardhurat nga shitja e biletave janë 1.003.460 lekë.
M.B.