Tiranë, 19 qershor 2014 – Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dënuar sot përjashtimin për 10 ditë nga Kuvendi të ish kryeministrit Berisha dhe liderit historik të demokratëve siç e quajti ai. Për Bashën, ky është një veprim i patolerueshëm dhe një provokim që i bëhet opozitës.
"I papranueshëm përjashtimi nga Kuvendi i ish Presidentit dhe ish Kryeministrit të vendit, prof. dr. Sali Berisha. I patolerueshëm zbatimi prej dyshes Rama-Meta i kuteve që ndyshojnë si nata me ditën: kur deputetë-xhandarë të Edi Ramës ushtrojnë dhunë kundër opozitës, justifikohen e lavdërohen prej tyre, kurse lideri historik i Partisë Demokratike, që po mban një peshë të madhe të parlamentarizmit dhe kuptimit të tij dënohet për fjalën e lirë. Nuk përballojnë dot debatin. Nuk kanë fakultetin politik për të duruar pikëpamjen ndryshe, pikëpamjen e kundërt, të vërtetën", – shkruan Basha në FB.

“E duan Kuvendin një stallë propagandistike. E duan pa opozitën, ose me një opozitë që u mban ison. Kjo u lexohet në çdo fjalë, në çdo gjest. Sot kanë provokuar rëndë jo vetëm Partinë Demokratike, por mbarë qytetarët shqiptarë që besojnë në vlerat e parlamentarizmit. Nuk do tu ecë provokimi. Nuk do tu ecë hipokrizia. As djallëzia për të mos e patur opozitën në Kuvend në ditën e shumëpritur të marrjes së statusit të vendit kandidat", -tha ai më tej.

PD BOJKOT PARLAMENTIT

Partia Demokratike ka marrë sot vendimin për të bojkotuar Kuvendin deri në një njoftim të dytë. Vendimi i PD erdhi menjëherë pasi Byroja mori vendimin për të përjashtuar 10 ditë nga Kuvendi ish kryeministrin Sali Berisha. 

Vendimi i PD u bë me dije nga kryetari i Grupit Parlamentar Edi Paloka. “Jam këtu për të shpallur vendimin e Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar, për bojkot të Kuvendit, deri në një njoftim të dytë, në shenjë proteste ndaj aktit të sotëm të përjashtimit të Sali Berishës. Përjashtimi i Sali Berishës është një akt i dhunshëm i dyshes Rama-Meta, një përpjekje ekstremiste për të eleminuar opozitën parlamentare. Të gjendur përballë fakteve dhe të vërtetave të dhimbshme për moralin e rrënuar të Kryeministrit dhe servilëve të tij, Ilir Meta dhe Edi Rama këta furacakë të pashoq, vendosën sot një standard të zi në parlamentin shqiptar, duke dënuar atë që citon, atë që thotë të vërtetat, atë që prish rehatinë e haremit qeveritar”.

Më tej ai theksoi se : “Opioni publik shqiptar ka kohë që është i tronditur dhe nuk kapërdin dot lajmet mbi një darkë dekadente qeveritare ku Kryeministri Rama, fyen jashtë çdo përfytyrimi dhe zakoni shqiptar zonjat që janë të pranishme në tryezë. Sali Berisha e denoncoi këtë degjenerim etik dhe moral të Kryeministirt, sot në sallën e Kuvendit dhe për këtë u dënua. Ndërsa i dënueshëm është dhe duhet të jetë një person në politikën shqiptare, Edi Rama, për aktet, për deklaratat dhe për gjestet e tij. Ky fundërrirë e politikës, sic e ka cilësuar Ilir Meta, ka quajtur publikisht një gazetare prostitutë.”

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/