Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të mërkurë grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij Berisha ka komentuar kërkesën e PS për përjashtimin e disa deputetëve demokratë pas tensioneve në seancën e kaluar.
Berisha akuzon mazhorancën se kërkon të përgjysmojë PD, pasi sipas tij nesër kryeministri Rama do të shkojë në seancë.
“Nesër është betejë, ditë beteje!
McGonigal është në burg, Edi Rama e ka vendin në burg.
Akti që ka kryer Edi Rama ndaj SHBA dhe ndaj Shqipërisë, krimi i rëndë që ka kryer kundër pluralizmit politik dhe kundër sigurisë së SHBA, meriton një ndëshkim ekzemplar.
Faza e parë e dërgimit të tij në banesën e tradhtarëve, armiqve të pluralizmit dhe demokracisë, është largimi i tij nga pushteti.
Ndaj dhe çdo ditë, çdo betejë ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
Sot ata, për turpin e tyre, marrin përsipër të përjashtojnë një grup tjetër deputetësh nga parlamenti pasi Edi Rama pas një muaj do shkojë në sallën e parlamentit, por ka frikë dhe tmerr nga prania jonë, ndaj kërkon të na përgjysmojë.
Kjo është e vërteta.
Pasi u kthye nga Dubai, ku takoi ortakun e vëllait të vet, Amant Josifin, për të mos thënë edhe disa të tjerë, tani ka vendosur të hyjë në parlament.
Ky përbën një akt të shëmtuar të tij dhe të pseudomazhorancës së tij”-u shpreh Berisha.