Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje për mediat kosovare ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK-së me të cilin nga 1 shkurti përjashtohen pagesat me dinarë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, ka thënë zëdhënësi për Pavlovic Today.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, thuhet më tej.

Sipas reagimit, Departamenti i Shtetit nënvizoi se në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.