Është miratuar në Fletoren Zyrtare udhëzimi “Për  procedurat  për  lëshimin  e  autorizimit,  për  subjektet  e  rindërtimit dhe  për  përjashtimin  nga  tatimi  mbi  vlerën  e  shtuar  të  furnizimit  të mallrave e shërbimeve, për qëllime të procesit  të  rindërtimit”. Në një tjetër udhëzim përcaktohen kushtet, rregullat dhe dokumentet që shoqërojnë kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore, për përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Miratimi i tyre i jep rrugë zbatimit të vendimit të qeverisë për përjashtimin nga TVSH-ja dhe taksës së infrastrukturës në procesin e rindërtimit pas tërmetit, që po pengonte fondacionet në projektet e tyre të rindërtimit.

Përjashtimi nga TVSH

Udhëzimi përcakton përjashtimi nga TVSH-ja të furnizimit të procesit të ndërtimit, i kryer nga subjekte të autorizuara të rindërtimit, dhe i furnizimit të mallrave e shërbimeve që përdoren prej tyre vetëm për qëllime të rindërtimit.

Përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit:

a) furnizimi i procesit të ndërtimit, që realizohet nga ndërtuesit, subjekte të rindërtimit;

b) furnizimi i shërbimeve dhe mallrave për procesin e ndërtimit, i kryer direkt për ndërtuesit, subjekte të rindërtimit;

c) importimi i mallrave për procesin e ndërtimit, i kryer direkt nga ndërtuesit, subjekte të rindërtimit.

Procesi i rindërtimit dhe programet e tij, për të cilat zbatohen përjashtimet nga TVSH-ja Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 97/2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, programet e rindërtimit, për të cilat do të aplikohet përjashtimi nga TVSH-ja janë:

a) Programi i ndërtimit të objekteve në zonat e reja apo në të njëjtin truall, që përfshin:

ndërtimin e objekteve të reja dhe të infrastrukturës publike nga autoritetet shtetërore;

ndërtimin e objekteve të reja dhe të infrastrukturës publike nga donatorët;

iii. rindërtimin e ndërtesave të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall.

b) Programi i ndërtimit të infrastrukturës publike, kur nuk është pjesë e programeve të tjera të parashikuara në ligj, dhe të infrastrukturës kritike, me anë të të cilit, me financim nga fondi i rindërtimit apo nga donatorët, ndërtohen ose rikonstruktohen objekte të infrastrukturës publike dhe kritike nga njësitë zbatuese.

Subjektet e rindërtimit të autorizuara për përjashtimin nga TVSH-ja

Përjashtohen nga TVSH-ja:

a) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të cilët u nënshtrohen dispozitave të ligjit për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë dhe përcaktimeve të këtij vendimi;

b) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të cilët duhet të kenë lidhur një marrëveshje kuadër me njësinë zbatuese, të ngarkuar nga Këshilli i Ministrave për administrimin e fondeve të shpërndara nga fondi i rindërtimit dhe që përdoren bazuar në procedurat e ligjit për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, në lidhje me prokurimin publik për rindërtimin;

c) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të përcaktuar nga donatorët, për rastet kur donacionet/grandet e tyre nuk janë pjesë e fondit të rindërtimit sipas ligjit të buxhetit.

Procedura për lëshimin e autorizimit për ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, dhe mënyra e zbatimit të përjashtimit Për qëllime të zbatimit të përjashtimeve të mësipërme, ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, duhet të jenë të autorizuar nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, për t’u pajisur me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja, paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dokumentacionin e mëposhtëm:

a) kërkesën me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it;

b) marrëveshjen kuadër, që kanë lidhur me njësinë zbatuese për secilën procedurë prokurimi

publik të programit të rindërtimit, sipas parashikimeve në ligjin e fushës;

c) marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorit, në rastet kur ndërtuesi, subjekt i rindërtimit, është përcaktuar nga donatori që ka marrë përsipër procesin e ndërtimit, në përputhje me programin e rindërtimit;

Përjashtimi nga taksa e infrastrukturës

Ky projektvendim ka për qëllim përcaktimin e kushteve, rregullave dhe dokumenteve që shoqërojnë kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore, për përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Për të përfituar përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, sipas pikës 9, të nenit 27, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, për investimet që shërbejnë për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore, së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëron kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit, investitori duhet të paraqesë edhe dokumentet, si më poshtë vijon:

a) aktin që vërteton dëmtimin e ndërtesës për shkak të fatkeqësisë natyrore;

b) dokumentin që përcakton shkallën e dëmtimit të ndërtesës, vlerën në lekë të dëmtimit, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, si dhe nivelin e ndërhyrjes që nevojitet në ndërtesën e dëmtuar.

Dokumentet e mësipërme lëshohen nga autoriteti përkatës, të përcaktuara sipas procedurave të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore”, që bëjnë vlerësimin e dëmeve në rastin e fatkeqësisë natyrore.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore verifikojnë dokumentet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, dhe, në rast të plotësimit të tyre, aplikojnë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi. /monitor