SHBA, 30 prill 2014 – I përjashtuar përjetë dhe i dënuar me një gjobë prej 2,5 milionë dollarësh është ky vendimi që i komunikoi komisioneri i NBA Adam Silver pronarit të Los Angeles Clippers Donald Sterling pas komenteve raciste të këtij të fundit ndaj afro-amerikanëve.

 

Në një video të publikuar nga sajti Gossip i TMZ dëgjohet se pronari 80-vjeçar i skuadrës kaliforniane i thotë të dashurës së tij se nuk duhet të shfaqet më me njerëz me ngjyrë në publik dhe të mos publikojë foto me ta në Instagram por edhe të mos sjellë më Magic Jonhson në arenën e skuadrës nga Los Angelesi.

 

Komente këto që bënë xhiron e botës dhe tensionuan së tepërmi edhe presidentin e Shteteve të Bashkuara Barack Obama që e quajti Sterlingun një injorant duke thënë se ka njerëz injorantë që duan ta shprehin hapur injorancën e tyre.

 

Pas këtyre komenteve Adam Silver ishte i detyruar të merrte një vendim drastik në lidhje me Sterling.

 

Por përveç përjashtimit të përjetshëm dhe gjobës komisioneri do t'i kërkojë asamblesë së pronarëve të NBA të detyrojnë Donald Sterling të shesë shoqërinë që ai drejton.

 

Ishin këto tre vendimet që mori Adam Silver dhe tashmë topi i kalon gjykatave, por edhe vetë Sterlingut që nëse nuk dëshiron t'i ndërlikojë akoma më shumë gjërat duhet të largohet pa bërë shumë zhurmë.

 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/