21 shtator 2015 – Nuk plotësoi detyrimet kontraktuese ndaj spitalit publik rajonal të Durrësit, përjashtohet nga prokurimet publike një operator ekonomik.
Të hënën, më 21 shtator 2015, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik Eduard Ahmeti ka njoftuar operatorin ekonomik (person fizik) “Alma Bundo” në njësinë administrative (ish-komuna) e Dajtit në Tiranë, se ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e tij nga prokurimet publike. Sipas Ahmetit, ky person fizik nuk ka përmbushur detyrimet e kontratës së nënshkruar me Spitalin Rajonal Durrës më 4 mars 2015 për blerje pjesë dhe kryerje e shërbimeve në lavatriçet industriale dhe tharëset e rrobave.
Agjencia e Prokurimit Publik thotë se operatori ekonomik ka të drejtën të kërkojë sqarime lidhur me materialet, mbi të cilin po zhvillohet ky procedim administrativ si dhe të paraqesë pretendimet me shkrim, së bashku me dokumentacionin shoqërues dhe argumentimet përkatëse për çështjen në fjalë, deri më 30 shtator 2015.
/th. m. portali DurresLajm/





