Spanjë, 29 prill 2014 – Spanja jep një shembull të denjë kundrejt një fenomeni që tenton herë pas here të njollosë sportin më popullor në planet. Konkretisht Villarreali ka vepruar me tolerancë zero ndaj tifozit racist që hodhi një banane drejt Dani Alves në ndeshjen me Barcelonën në El Madrigal.

I qetë pas këtij gjesti të shëmtuar, braziliani teksa përgatitej të shkelmonte topin në goditje këndi e mori frutin, duke i kthyer një përgjigje ironike tifozit të nëndetëses së verdhë, që tashmë ndeshjet e skuadrës së zemrës gjatë gjithë jetës duhet t’i ndjekë vetëm nëpërmjet ekranit të televizorit.

Pas një fushate me mesazhe sensibilizuese, mes të cilëve edhe Neymar, Villarreali mori vendimin drastik për t’ia tërhequr të gjitha biletat tifozit të abonuar, duke i mohuar gjithashtu aksesin përgjithmonë në El Madrigal.

Gjestin ndaj Dani Alves e dënoi ashpër edhe presidenti i FIFA-s. Përmes faqes së tij në Tuitter, Sepp Blatter deklaroi se mbrojtësi i Barcelonës u shfaq tolerant ndaj një akti mizor, ndërsa edhe njëherë u zotua për tolerancë zero ndaj diskriminimit racist gjatë Botërorit të Brazilit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/