Vendimi i kreut të PD Lulzim Basha për largimin e ish-kryetarit Sali Berisha nga grupi parlamentar ka trazuar ujërat në kampin blu.
Mes zërave që shprehen pro ose kundër këtij vendimi, ka demokratë që preferojnë më mirë të mos komentojnë ose të shprehin mendimin e tyre në një moment të dytë.
Të kontaktuar nga “DurrësLajm”, tre nënkryetarët e PD-së lokale, Arlind Boshku, Pëllumb Berisha dhe Neritan Golja zgjodhën të mos komentonin vendimin personal të ndërmarrë nga kreu i selisë blu.
“Nuk kam ndonjë koment!”,- u përgjigj shkurt nënkryetari Arlind Boshku.
Ndërkohë, kolegu i tij Pëllumb Berisha deklaroi se “Do të ketë një reagim në një moment tjetër”.
“Për momentin nuk kam ndonjë gjë për t’u prononcuar”,- deklaroi nënkryetari Neritan Golja, duke e shtyrë për një tjetër moment qëndrimin e tij mbi këtë çështje.
Më herët, “DurrësLajm” kontaktoi dy nënkryetarët e tjerë të degës Dritan Burgija, u cili u shpreh se “vendimmarrje të tilla nuk i takojnë një personi të vetëm”, ndërsa Gaz Luku apeloi për qetësi dhe kujdes sepse sipas tij “koha do ta tregojë nëse vendimi i Bashës ishte i saktë apo i gabuar”.
Mëngjesin e sotëm, deputeti i qarkut Durrës dhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka ishte një nga tre deputetët që shoqëruan Berishën gjatë rrugës së tij për në Kuvend, duke shprehur kështu qartë qëndrimin e tyre kundër vendimmarrjes së Bashës.
Më herët, mbrëmjen e së enjtes, gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, në media qarkulloi lajmi se mes të tjerëve, edhe deputeti i Durrësit Oerd Bylykbashi kishte shprehur qëndrimin e tij kundër vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës.
Ndërkohë, ai që duket se e ka shprehur disa ditë më parë qëndrimin e tij të hapur pro amerikan është kreu i demokratëve të Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, kur ndryshoi në profilin e tij në rrjete sociale foton, duke vendosur flamurin e SHBA krahas atij shqiptar.