Moti i keq që ka përfshirë gjirin e Durrësit që nga dita e hënë sjell problematikat e para.
Ndërsa kushtet atmosferike po shkojnë drejt përkeqësimit dhe lundrimi në det të hapur është i pafavorshëm deri në përmirësimin e motit, Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se janë anuluar nisjet nga Bari dhe Ankona drejt Durrësit, gjatë ditës së sotme.
“Si pasojë motit të përkeqësuar dhe kushteve jo të favorshme për lundrim në daten 17.01.2023, anullohen nisjet nga Bari për Durrës me tragetin AF MARINA , gjithashtu anullohet dhe nisja nga Ankona për Durrës me tragetin AF CLAUDIA”,- njofton DPD.
Lundrimet pritet të nisin nesër dhe pasnesër (e mërkurë, e enjte)
“Trageti AF MARINA rinis linjën Bari -Durrës nesër ditën e mërkurë datē.18.01.2023, kurse trageti AF CLAUDIA rinis në linjën Ankona-Durrës diten e enjte datë 19.01.2023”,– shkruan DPD në postimin në rrjete sociale.
Ndërkohë dy tragetet e linjës së Bari – Durrës kanë mbërritur në kohë mëngjesin e sotëm dhe janë ankoruar në kalatën respektive
Edhe në Vlorë, deti i trazuar dhe me dallgë pengon ankorimin e anijeve. Mjetet e vogla të lundrimit janë paralajmëruar për situatën, që pritet të përkeqësohet më tej gjatë pasdites.
“Në portin e Vlorës Trageti Ioan Sun i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë ka anulluar lundrimin E datës 17.01.2023 për Vlorë-Brindisi. Trageti Ioan Sun do të rinis lundrimin në datën 18.01.2023 ora 14:30.
Kompanitë e lundrimeve do të respektojnë gjithë detyrimet që lindin nga ky anulimi i lundrimit, ndërsa për çdo sqarim të nevojshëm, ju ftojmë të kontaktoni me agjencitë respektive”,– njofton DPD.
Në bregdetin shqiptar era fryn në drejtimin Jug-JugPerëndim në forcën 6-7bft deri 8bft 15-25m/s, ndërsa dallgët arrijnë lartësinë nga 1.80 deri 3.50 metra.
Përmiresimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për lundrimin e sigurtë për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë pas datës 19 Janar 2023 ora 16:00.
M.B.





