Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur, autoritetet detare kanë vendosur ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit gjatë ditës së sotme, 8 maj 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga ora 08:00 priten erëra të forta në drejtimin jug-juglindje me forcë deri në 6-7 ballë, shpejtësi 15 deri në 20 metra për sekondë dhe dallgë që arrijnë nga 1.5 deri në 2.5 metra lartësi.
Për këtë arsye, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, deri në orën 22:00 të mbrëmjes.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve, me qëllim shmangien e çdo rreziku apo situate emergjente.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet pas orës 22:00 të datës 8 maj 2026.





