Ashtu si i gjithë vendi, edhe qyteti i Durrësit është përfshirë gjatë ditës së sotme nga moti i keq. Reshje shiu, erë e fortë dhe dallgëzim i madh në det ishte panorama e ditës së sotme në Durrës. Tragetet e linjës Bari – Durrës u ankoruan pas mesditës në kalatën portuale si pasojë e motit të keq. Ndërkohë puna në sektorët e tjerë të portit ka qenë e paralizuar për shkak të reshjeve dhe erës së fortë.

Fatmirësisht, deri pasditen e sotme rrugët në lagje të ndryshme të qytetit nuk ishin përmbytur, por situata mund të ndryshojë nga reshjet që do të regjistrohen në mbrëmje dhe gjatë natës.

Nesër mësimi do të jetë i pezulluar në të gjitha shkollat, pas vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit.

Shtabi i Emergjencave pranë Prefekturës Durrës po ndjek nga afër situatën e krijuar në zona të ndryshme. Edhe ditën e nesërme priten reshje të shumta shiu, por sipas kreut të Emergjencave Civile situata më e rëndë do të jetë në zonat jug-lindore të vendit.

Ndërkohë, situata më e rëndë është në autostradën Tiranë-Durrës, ku niveli i ujit ka arritur në 0.75 metra dhe shumë automjete kanë mbetur të bllokuara.