Autoritetet detare kanë njoftuar për përkeqësim të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike në det, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë periudhës 2–7 janar 2026.
Sipas parashikimeve, duke filluar nga ora 06:00 e datës 2 janar, era do të fryjë nga drejtimi jug–jugperëndim me forcë 5–6 ballë, shpejtësi 10–15 m/s dhe dallgëzim që pritet të arrijë nga 1 deri në 1.5 metra.
Për shkak të këtyre kushteve, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe e anijeve të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, nga ora 06:00 e datës 2 janar deri në orën 06:00 të datës 7 janar 2026.
Drejtuesit e mjeteve lundruese dhe anijeve të peshkimit këshillohen të tregojnë kujdes maksimal, të marrin parasysh kushtet e motit dhe të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së jetës në det.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të bashkëpunojnë për marrjen e masave parandaluese, duke siguruar mjetet lundruese në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve.
Ndërkohë, anijet e transportit detar ndërkombëtar do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të planifikuara. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit parashikohet pas orës 06:00 të datës 7 janar 2026.





