Naftëtaret kanë hyrë në ditën e 23-të të grevës në Ballsh teksa gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e përkeqësohet.

Ato kanë kërkuar zgjidhje sa më shpejt nga kryeministri Edi Rama pasi thonë se mund të ndodhë tragjedia.

Madje njëra prej tyre thotë se naftëtaret kanë diskutuar mbrëmë si do të vetëflijoheshin pasi u vjen rëndë të dalin nga greva dhe të rikthehen te familjet e tyre.

”Gjendja ka qenë shumë e keqe mbrëmë. Kam qenë shumë sëmurë nga zemra. Më jepnin kurajo shoqet, dhe thoja a do gdhihem të shoh vajzat e mia që kam 23 ditë, për çfarë ika nga familja, për bukën e gojës. Zonjat e parlamentit duhet të reagojnë, nëna është e shenjtë se krijon familje, po unë s’jam e zonja ta mbaj. Kërkojmë zgjidhje nga kryeministri një sahat e më parë. Mos ndodhë ndonjë tragjedi këtu tek ne, që mendonim si do vetëflijohemi mbrëmë. Për bukën e gojës jemi këtu. Kam 23 ditë nuk e di, hanë, pinë, shkojnë në shkollë vajzat e mia. Nuk e di çfarë bëjnë. Zoti më ndihmoftë të shkoj te vajzat, të kthehem në shtëpi, se jam shumë sëmurë nga zemra.”– tha naftëtarja për News24.