Rastet me sëmundjen e fruthit në shtetin e Teksasit dhe New Mexico në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të rriten. Në Teksas tani ka 400 raste, ndërsa që nga fillimi i këtij shpërthimi ka patur dy vdekje.

Në New Mexico numri i përgjithshëm me këtë sëmundje ka shkuar në 44. Ekspertët e sëmundjeve infektive presin të ketë më shumë raste në ditët në vijim.

Numri i rasteve të fruthit në SHBA deri më tani këtë vit ka tejkaluar ato në vitin 2024. Ekspertët kanë paralajmëruar se rënia e shkallës së vaksinimit në SHBA ka ndikuar në përhapjen e kësaj sëmundje ngjitëse.

Sëmundja, e cila mund të jetë veçanërisht serioze tek fëmijët e vegjël, u konsiderua e zhdukur në SHBA në vitin 2000, por rënia e normave të vaksinimit ka bërë që kjo sëmundje të shpërthejë sërish.

Fruthi shkaktohet nga një virus shumë ngjitës që transmetohet në ajër dhe përhapet lehtësisht kur një person i infektuar teshtin ose kollitet. Është i parandalueshëm përmes vaksinave.