Kupa “Abdulla Duma”. Një nismë për t’u përshëndetur

Me nismën e Edmond Zallës, drejtues i sektorit sportiv në Bashkinë e Durrësit dhe me mbështetjen e fuqishme të zyrës rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit që drejtohet nga ish futbollisti i njohur i Teutës Dritan Babamusta dhe të KF Teuta me sekretar Eduart Salillarin, të premten pasdite në aneksin e stadiumit Niko Dovana u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse. Është kupa e vënë në nderim të figurës madhore të futbollit durrsak, mjeshtrit të merituar të sportit Abdulla Duma. Miq, shokë, familjarë e të afërm të tjerë, si dhe futbollistë bashkëkohës me të ishin të pranishëm në pasditen e 25 majit 2012, pikërisht në këtë sentiment të futbollit. Katër ekipe të moshës 15 vjeçare Teuta, Superior, Djemtë e Detit dhe Adriatiksport, vendosën të sfidonin njëra tjetrën për të fituar trofeun me këtë emër të artë të futbollit durrsak.

Në bazë të shortit Superior i drejtuar nga Kujtim Sakuta mundi 4-0 Djemtë e Detit të drejtuar nga Agron Kërçova. Ndeshja tjetër shumë e bukur dhe e shoqëruar me rivalitet, u zhvillua ndërmjet Adriatiksport dhe Teutës. Vogëlushët e Teutës fituan 2-1. Në takimin përcaktues Teuta kaloi edhe pengesën e finalistes Superior, duke e mundur minimalisht 1-0. Ky ekip nga më cilësorët e kësaj moshe, ngriti trofeun. Por cili është Abdulla Duma? Arkiva jonë e pasur, na lejon të bëjmë një biografi të shkurtër të tij. Lindi në Durrës në vitin 1935. Filloi rrugën e futbollit shumë i ri. Pasi debutimet e para i bëri në qytetin e lindjes, në vitin 1955 thërritet nga Dinamo. Dhe luajti me këtë ekip 5 vite (1955-1960). Këtu kulmon karriera e tij. Fiton 3 tituj kampioni me Dinamon (1955, 56, 60) dhe përfshihet në radhët e ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Me Abdulla Dumën lidhet edhe dy fakte interesante. Në vitin 1958 zëvendëson të madhin Loro Boriçi me largimin e tij në kombëtare dhe i dorëzon fanelen në Durrës kur luante me Lokomotivën në vitin 1968, qendërmbrojtësit të ekipit përfaqësues Safet Berishës. Karriera e Abdulla Dumës përfshihet në periudhën 1952-1968.

Ndryshoi tri breza futbollistësh nga Raq Manushi, Taq Murati, Banush Pasha, Mersin Sijoni, Mustafa Hajdari, Thoma Thimjo, Tat Borshi, tek Nysret Shyti, Shyqyri Hasa, Met Myshku, Zyhdi Daja, Omir Topçiu, Abdulla Gavoçi, duke e përfunduar me të njohurit e tjerë si Nazmi Maxhuni, Petraq Ikonomi, Nderim Hoxha, Muharrem Kadiu, Niko Bespalla, Orest Grami, Maksut Leshteni, Feti Golashi, Mustafa Saraçi etj. Mbetet nga të vetmit futbollistë, që u largua nga klubet e kryeqytetit me një formë sportive brilante për ti shërbyer futbollit të rrënuar të Durrësit. Kjo në vitin 1960. Bashkëpunoi me Boriçin në vitin 1967, i cili drejtoi pak muaj Lokomotivën dhe në vitin 1970 iu bë krah Refik Resmes në drejtimin e Lokomotivës. E kujtimet janë të pashlyeshme, sepse e tillë e pashlyeshme është edhe rruga sportive e djalit të mirë e të përkushtuar durrsak Abdulla Duma.  Abdulla Duma mbetet nga arritjet më të ndjeshme të futbollit durrsak, figurë qendrore e tij, duke merituar respektin e përjetshëm të bashkëqytetarëve të tij, si dhe të masave sportdashëse të vendit.