26 nëntor 2015 – Sot mbushen plot 103 vjet nga dita e ngritjes së flamurit në Durrës. Në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në 26 nëntor 1912, Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne, në të cilën ishin morën pjesë zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetë, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë të Durrësit. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin pranë Bashkisë e ka ngritur zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj, i cili tha para të pranishmëve se kjo është padyshim ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim.
“Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 103 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912.
Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaculini; tek të gjithë ata që përgatiten dhe valëviten flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsake Dom Nikolle Kacorri, Abaz Celkupa dhe Mustafa Basha, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë.
Sot mund të duket se ata burra e ato gra të zonja, që patën vetëdijen politike dhe guximin vetjak të ngrenë flamurin kombëtar më 26 nëntor 1912 bënë thjesht një manifestim. Por ajo ngritje flamuri nuk ishte një rit ceremonial¸ajo ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes”, tha Varfaj.
Më pas të pranishmit kanë vizituar ambientet e Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia” ku është çelur një ekspozitë me piktura nga fondi i Galerisë së Arteve me tematikë Festat e Nëntorit.
/portali DurresLajm/