104-vjetori i lindjes së piktorit të famshëm Ibrahim Kodra u përkujtua të premten në Durrës.
Në galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” u hap ekspozita me 125 vepra të artistëve italianë, miq e bashkëkohës të piktorit, dhuratë për fondacionin “Ibrahim Kodra”.
Ndërkohë, në sheshin para bashkisë së qytetit, më shumë se 20 nxënës të shkollave të Durrësit kishin ekspozuar tablotë e tyre me tematikën “Ibrahim Kodra në sytë tanë”.
Gjimnazistja nga Manza, Afërdita Lika, rrëfen se është njohur prej kohësh me punimet e Kodrës dhe është munduar të sjellë në telajo pak nga stili i piktorit të famshëm.
Të gjithë gjimnazistëve pjesëmarrës në ekspozitë iu dha një certifikatë mirënjohjeje.
Ibrahim Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. Ai ishte i pari shqiptar që përqafoi pikturën bashkëkohore evropiane, për t’u shndërruar në një përfaqësues të denjë të saj.
E gjithë pasuria artistike që ka lënë pas Kodra janë rreth 6 mijë vepra, të shpërndara në muze private, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.