Një event i veçantë u organizua në fillim të marsit në restorantin e njohur “2 Kitarrat, Aromë deti”. Ish-drejtues dhe ish-punonjës të Uzinës Elektro – Mekanike në Durrës festuan 50-vjetorin e ndërmarrjes, e mbyllur në fillim të viteve ’90.
Me vitet mbi shpinë dhe shumë thinja në kokë, por me të njëjtin repekt dhe mirëkuptim ish-stafi i dikurshëm u mblodh për të festuar dhe kaluar kohë së bashku, ashtu siç bënin shumë vite më parë, kur ish-U.E.M. ishte aktiv dhe ndërmarrje në aktivitet të plotë.
Organizatorët e kësaj mbrëmje të bukur, ku nuk munguan momentet plot alegri ishin 3 ish-punonjës Rusha Resnjaku, Sabah Gjyli dhe Jorgo Gjorgo.
Në mesin e mbi 60 pjesëmarrësve në këtë mbrëmje festive ishte dhe ish-drejtoresha e uzinës Pavlina Loçi. Shumë nga pjesëmarrësit kishin udhëtuar qindra kilometra, pasi vinin nga Italia, Gjermania etj, vetëm e vetëm që të mos mungonin në këtë festë.

Në mesin e atyre që fatkeqësisht janë ndarë nga jeta, por që sot e kësaj dite vijojnë të kujtohen me respekt dhe dashuri është dhe ish-kryeinxhinieri i U.E.M.-it Fadil Kërtusha.
Si në çdo përvjetor të rëndësishëm, nuk kishte sesi mungonte dhe torta e eventit, pranë së cilës u shkrepën fotot kujtim të kësaj date të shënuar për të gjithë stafin e dikurshëm të kësaj uzine të rëndësishme të Durrësit.





