Kurora me lule u vendosën sot nga autoritetet më të larta vendore dhe qendrore në lapidarin në Shkozet, në nder të të rinjve durrsakë që u internuan në vitin 1943 në kampet naziste të përqendrimit.
Në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, të rinj durrsakë humbën dhe jetën duke u përjetësuar në memorien kolektive si dëshmorë të atdheut.
Isuf Shehu, nënkryetar i organizatës së veteranëve të LANÇ-it, kujtoi disa prej tyre që dhanë jetën në lule të moshës.
“Nga 294 dëshmorë, 130 ishin nga Durrësi. Të rinjtë e burgosur ishin 230 shtetas në kampin e të internuarve në Porto Romano, ku vuanin dënimin 1200 të burgosur. Ranë dëshmorë Sotir Noka, Dalip Tabaku, Aleksandër Goga, 14-vjeçari Met Hasa e shumë e shumë të tjerë“,- tha Shehu.
Për drejtorin e kulturës në bashki, Adrian Gurra, kontributi i dhënë nga të rinjtë durrsakë në ato vite, kur qyteti vuante nën pushtimin e huaj, është një mesazh për rininë e ditëve tona.
“Përkujtojmë sot 80-vjetorin e internimit të rinisë durrsake në kampet naziste, që ishte padyshim ngjarja më tronditëse nën dhunën e okupatorëve. Ky vend, ku sot ngrihet ky lapidar, ishte një pikë grumbullimi për rininë durrsake, që u syrgjinos në kampet e shfarosjes së nazismit. Në pllakën memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh, që u vranë në kampet e Dakaut, Mauthausen dhe gjetkë. Ata janë të rinj durrsakë, që me sakrificat e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën, pasi atdheu është më i shtrenjti”.
80 vite më parë, qindra të rinj durrsakë u grumbulluan në vendin ku është ngritur lapidari në Shkozet për t’u internuar drejt kampeve naziste. 43 prej tyre nuk arritën të riktheheshin në atdhe, pasi humbën jetën në kampet e shfarosjes.
M.B.