DURRES, 29 maj 2013 – Afro dhjetë vjet pas ekzekutimit, në qytetin e Krujës, është përkujtuar me nderime 60 vjetori i lindjes së komisarit Gani Malushi. Komisari Malushi u vra më 6 gusht të vitit 2003, përpara Drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës. Autori i vrasjes, Agim Pepa, vuan dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa familjarë, kolegë dhe qytetarë të Krujës përkujtojnë rregullisht përvjetorët e tij të lindjes, për ta mbajtur gjallë në kujtesë komisarin e sakrificave, oficer në karrierë dhe që arriti të përballojë me sukses detyrat në policitë e Kukësit, Tropojës e Beratit edhe në periudhën e trazuar të vitit ’97 e më pas.

“Për brezat që do të militojnë në radhët e Policisë Shtetit, punonjësit e policisë që dhanë jetën e tyre në krye të detyrës, në mbrojtje të jetës së qytetarëve, lirive e të drejtave të tyre si dhe rendit shoqëror të vendosur, do të mbeten gjithmonë shembuj frymëzimi, pasi me aktin e tyre kanë vënë në themel të punës së policisë gjënë më të çmuar, jetën e tyre” – tha kreu i DPQ Durrës, Drejtues i Parë Emri Vata.  

Një ekspoze me foto e sende personale të Malushit ngjalli mjaft kujtime te punonjësit e policisë që e njohën dhe punuan me të. Pikërisht, kujtimet e sjella prej tyre qenë në qendër të aktivitetit të organizuar për 60-vjetorin e lindjes së tij, ndërkohë që në gusht mbushen plot 10 vjet nga vrasja e tij. 

Jetëshkrimi

Gani Malushi lindi më 20 Maj 1953, në fshatin Radovickë të rrethit të Kolonjës. Në vitet 1974-1977 kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në armën e policies, në Tiranë. Jeta ushtarake zgjoi tek Ganiu dëshirën për vazhdimësi në këtë fushë. Rezultatet e tij të deriatëhershme ishin shumë të mira dhe disiplina ishte një tipar i spikatur i tij. Pas përfundimit të ushtrisë, filloi studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kursi i Policisë. Dy vjet më pas, titullohet oficer dhe emërohet në detyrën e punonjësit të Policisë së Sektorit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë.

Në vijimësi, Ganiu kalon të gjithë shkallët hierarkike, duke filluar nga ai i komandantit të togës, komandantit të repartit, specialistit të gatishmërisë, inspektorit në Zyrën e Kufirit, shefit të rendit, shefit të komisariateve të Policisë Nr.2 Tiranë, Rinas, Librazhd, Tropojë (i komanduar),  Zv/Drejtorit të Policisë Qarkut Berat, Drejtorit të Policisë Qarkut Kukës.

Më 16 prill të vitit 2003, Gani Malushi emërohet në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë.  Më 6 gusht të po këtij viti, rreth orës 10.40, në lagjen nr.8 të qytetit të Durrësit, u qëllua me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë në të cilin udhëtonin Shefi i Komisariatit të Policisë Krujë i cili u plagos rëndë e më pas ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe shoferi i tij i cili mbeti i vrarë.

Ngjarja shokoi jo vetëm qytetin e Durrësit, po të gjithë vendin. Ishte një ekzekutim për gjakmarrje. Në shënjestër ishte shoferi i Malushit, Gjovalin Ndreu. Një raport krushqie mes familjes biologjike të Ndreut dhe asaj të Pepës kishte përfunduar në gjakmarrje. Kjo çoi drejt vdekjes fatalisht dhe komisar Malushin i cili në nëntor të vitit 2004 është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe së shpejti trupi i tij do të prehet pranë Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/