Brazil, 1 maj 2014 – Heroi i një gjenerate të djegur, edhe pas plot dy dekadash. Ayrton Senna vazhdon të shikohet si njeriu që i dha shpresë një vendi në kohë të trazuar, ishte ambasadori i 160 milionë brazilianëve, që edhe sot e vajtojnë e derdhin lot, njëlloj si 20 vjet më parë. I larguar nga kjo botë, por jo i harruar, sepse Senna ndodhet në zemrat e të gjithëve dhe është pikërisht ai dhe jo Pele, Zico apo ylli në ngritje Neymar, braziliani që shikohet si idhull në vendin e sambas dhe futbollit.
Në këtë përvjetor, në një sondazh të gazetës Folha de Sao Paulo, legjenda e Formula 1 është figura më e dashur e botës së sportit për 47% të brazilianëve, i ndjekur më pas nga mitiku Pele e të tjerë. Pothuajse të gjitha skuadrat e njëvendësheve, pilotë të rinj e të vjetër, kanë kujtuar me radhë aksidentin tragjik në Imola, që i preu vijën e jetës, kur ishte vetëm 34 vjeç dhe karriera e tij vazhdonte me marshe të larta. Nga Brazili e në çdo cep të botës, tre herë kampioni po merr të gjitha nderimet që i takojnë për atë që i dha Formulës 1 dhe sportit, por epiqendra e vërtetë është vendi ku mori frymë e garoi për herë të fundit.
Janë 4 ditë homazh në Imola, që do të kujtojnë jo vetëm Sennën, por edhe pilotin tjetër Roland Ratzenberger, i cili ashtu si braziliani pati fatin e zi dhe u shua në moshën 33-vjeçare, vetëm një ditë përpara në provat kualifikuese për Cmimin e Madh të San Marinos. Eventi hapës iu dedikua masave të sigurisë që janë marrë gjatë këtyre viteve me presidentin e federatës ndërkombëtare të automobilizmit,
Jean Todt që tha se ndarja nga jeta e këtyre dy pilotëve ishte një këmbanë alarmi për të gjithë. Sipas tij, në këto dy dekada janë marrë masa të jashtëzakonshme për të garantuar jetën e pilotëve në pistë, por asnjëherë puna nuk duhet të ndalet, pavarësisht se nuk është shënuar asnjë aksident me pasoja fatale. Në 20 vjet theksoi Jean Todt, aksidente të dhunshme kanë pësuar Schumacher në 1999-ën, Kubica në 2007-ën, Massa në 2009-ën dhe Ëebber në 2010-ën, por të gjithë për fat të mirë kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





