Autoritetet franceze thanë se të shtënat lidhur me trafikun e drogës në qytetin perëndimor francez të Poitiers u përshkallëzuan në një përleshje dje në mbrëmje, ku u përfshinë deri në 600 persona, shkruan “BBC”.

”Pesë persona u plagosën rëndë nga të shtënat në një restorant në qytet, duke përfshirë një djalë 15-vjeçar, i cili mbeti në gjendje kritike pasi u qëllua në kokë”, thanë burimet policore.

Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau e përshkroi incidentin si një shenjë alarmante të dhunës së lidhur me drogën që po përshkallëzohet në vend.

Kjo pason të shtënat në qytetin veriperëndimor të Rennes javën e kaluar, ku u vra një djalë pesëvjeçar.

Këto të shtëna nuk po ndodhin në Amerikën e Jugut, ato po ndodhin në Rennes, në Poitiers, në këtë pjesë të Francës perëndimore dikur e njohur për qetësinë e saj“, tha Retailleau për transmetuesin BFMTV.

“Ne jemi në një pikë kthese dhe zgjedhja që kemi sot është një zgjedhje midis mobilizimit të përgjithshëm ose meksikanizimit të vendit”, tha ai.

Kryebashkiaku i Poitiers e quajti atë “një episod të ri dhune të papranueshëm”.

Pamjet nga vendi i ngjarjes në Place de Coimbra, një zonë e qytetit të njohur për krimet e lidhura me drogën, treguan fasadën e restorantit të mbushur me vrima plumbash.

“Tensionet midis grupeve shpërthyen, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë dhe xhandarmërisë” tha policia rajonale në një deklaratë.

Retailleau tha se “400 deri në 600” njerëz ishin të përfshirë në përleshje.

Tregtia e drogës në Francë është parë prej kohësh si e përqendruar në qytetin port jugor të Marsejës, ku të paktën 17 vrasje të lidhura me drogën janë raportuar që nga fillimi i vitit.

Por, studiuesit thonë se ndikimi i trafikut të drogës në Francë në vitet e fundit është përhapur përtej qendrave kryesore të Marsejës dhe Parisit, në qytete të mesme dhe madje edhe në zonat rurale.