Të paktën 41 persona janë vrarë në një burg të grave në Honduras, pas trazive që shpërthyen në orët e para të së martës midis anëtarëve të bandave rivale Barrio 18 dhe Mara Salvatrucha (MS-13).

Sipas BBC, gjatë përleshjeve njëra prej bandave dogji një qeli. Zyrtarët thonë se zjarri shkaktoi shumicën e vdekjeve, por disa nga viktimat u qëlluan.

Zëvendësministrja e Sigurisë e vendit, Julissa Villanueva, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka premtuar se do të marrë masa ndaj dhunës. Ajo autorizoi gjithashtu “ndërhyrjen e menjëhershme” të zjarrfikësve, policisë dhe ushtrisë.

“Humbja e jetëve njerëzore nuk do të tolerohet”,- tha zonja Villanueva.

Është e paqartë nëse të gjithë të vrarët ishin të burgosur të burgut, i cili është afërsisht 20 km (12 milje) nga kryeqyteti i Hondurasit, Tegucigalpa, dhe mban rreth 900 njerëz.

Delma Ordóñez, e cila përfaqëson anëtarët e familjes së të burgosurve, tha për mediat lokale se një pjesë e burgut ishte “shkatërruar plotësisht” nga dhuna.

Presidentja Xiomara Castro, e cila vitin e kaluar nisi një goditje ndaj bandave, tha në rrjetet sociale se ishte “e tronditur nga vrasja monstruoze e grave” dhe do të merrte “masa drastike” si kundërpërgjigje.

Zonja Villanueva tha se hetimet do të nisin për të ndjekur penalisht “të gjithë ata persona në burg që bashkëpunojnë me krimin e organizuar”.

Hondurasi është i njohur për korrupsionin dhe dhunën e bandave, të cilat kanë depërtuar në institucionet qeveritare dhe kanë parë rritjen e shkallës së vrasjeve.

Së bashku me fqinjët El Salvador dhe Guatemala, vendi është një rrugë kryesore tranziti për kokainën që vjen nga Amerika e Jugut në Shtetet e Bashkuara.