•   Kjo fundjavë u karakterizua nga sherre të përgjakshme të të burgosurve shqiptarë në burgjet italiane.

 25 janar 2015 –  Në burgun Due Palazzi të Padovës të premten mbasdite, për tre orë pati përleshje të përgjakshme ndërmjet një grupi të burgosurish shqiptarë dhe një grupi rumunësh.

Rreth 70 të burgosur nga të dy palët, të vendosur në katin e tretë të burgut u përleshën midis tyre me grushta, shkelma, karrige, këmbë tavolinash, armë të ftohta të prodhuara në mënyrë artizanale, si dhe leva hekuri.

Gardianët në përfundim të përleshjes sekuestruan 5 thika të bëra nga gozhdët apo me teneqenë e kutive të sardeleve e tonit. Në burgun me kapacitet 430 të burgosur, aktualisht gjenden mbi 800 të tillë. Si rrjedhim i mbipopullimit, sherre të tilla janë të pashmangshme. Bilanci i sherrit të fundit ishte rreth 20 të burgosur shqiptarë e rumuno-moldavë të plagosur lehtë e disi më rëndë, si edhe 2 gardianë të shtruar në spital nga plagët e marra. Një gardian, pasi u mjekua në infermieri u dërgua në shtëpi, se u gjykua si i plagosur lehtë.

Mëngjesin e së dielës më 25 janar 2015, një grup të burgosurish shqiptarë u përlesh me të burgosur latino-amerikanë në Burgun e Marassi-t në Gjenovë. Të burgosurit u rrahën me grushte e me shkelma, si edhe duke përdorur armë të ftohta të prodhuara në mënyrë artizanale. Pas ndërhyrjes me forcë të gardianëve, arriti të shuhej sherri midis të burgosurve. Bilanci i sherrit ishte dy të burgosur (njëri shqiptar dhe tjetri venezuelian) u dërguan në spital me disa plagë në trup të shkaktuar nga mjete prerëse e shpuese.

Në infermierinë e burgut u mjekuan 8 të burgosur të tjerë, me plagë të lehta. Të plagosurit lehtë ishin si shqiptarë ashtu edhe latino-amerikanë.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/