Familja Saliu, që banon në fshatin Arapaj në Durrës ka afat deri në datë 15 qershor të lirojë shtëpinë pas urdhrit ekzekutiv të nxjerrë nga Përmbarimi.

Kryefamiljari Sali Saliu këtë godinë, e cila ishte në pronësi të Bordit të Kullimit, e përshtati për banesë para se të martohej 24 vite të shkuara. Sipërfaqjen prej 650 m2 ia njohu në pronësi Komisioni i Verifikimit të Pronësisë në Prefekturën Durrës, por jo gjykatat shqiptare, të cilat, siç pretendojnë familjarët, kanë marrë vendime pa e thirrur asnjëherë në gjyq.

Djali i Saliut, Kevin Saliu shpjegon betejën ligjore që kanë zhvilluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërkohë që çështjen e kanë çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Problematika jonë nis më 27.10.2009, kur zoti Qemal Gjuzi ngre një padi kundër babait tim Sali Saliu me objekt “Lirim dhe dorëzim të një sipërfaqeje toke prej 2500m2”, të cilën paditësi e pretendonte të tijën sipas një Akti Marrje Toke në Pronësi nga e ndjera nëna e tij Rabihane Ali Gjuzi, dhënë me ligjin nr. 7501.

Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë z. Gjuzi dhe mori një vendim më datë 25.05.2011 që na detyronte ne të lironim një sipërfaqje toke prej 682m2, ku përfshihet shtëpia dhe oborri përreth.

Ndërkohë babai im i kishte drejtuar një kërkesë Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë me objekt shqyrtimin e këtij akti marrje toke në pronësi, pasi sipas nesh ky akt ishte dhënë në kundërshtim me ligjin 7501,  pasi toka ishte me zë kadastral “Tokë pa frut”. Komisioni bëri verifikimin dhe një muaj pas vendimit të gjykates, më datë 20.06.2011 vendosi shfuqizimin e këtij akti marrje toke në pronësi si të papajtueshëm me ligjin 7501.

Normalisht ne këtë vendim do ta paraqisnim në Gjykaten e Apelit dhe pikërisht këtu nis problematika jonë me sistemin gjyqësor. Gjykata e Apelit nuk e thërriti asnjëherë në seancat e gjykimit babain tim, që nga viti 2011 deri në vitin 2013, kur dha vendimin për lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Durrës.

Këtë vendim ne e kundërshtuam në Gjykatën e Lartë nëpërmjet një rekursi në vitin 2014, e cila përsëri nuk mori për bazë pikat e rekursit tonë dhe nuk trajtoi faktin që ne nuk jemi thirrur në gjykim nga Gjykata e Apelit.

Tani jemi para faktit që më datë 15.06.2023 ne duhet të lirojmë banesën në bazë të këtyre vendimeve.

Këtë çështje e kemi nisur dhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi na është mohuar një e drejtë thelbësore kushtetuese siç është e drejta për t’u mbrojtur në gjykim nga gjykata të paanshme.

Ne i kemi nisur një shkresë Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Drejtësisë, Zyrës së Përgjithshme të Përmbarimit, Zyrës Përmbarimore Durrës për faktin që po detyrohemi të lirojmë këtë sipërfaqje toke, edhe pse nuk kemi një detyrim ndaj Z. Qemal Gjuzi. Ne kërkojmë një ndërgjegjësim të institucioneve ligjore, pasi na janë mohuar të drejtat tona dhe nuk na është dhënë mundësia të paraqesim një dokument kaq të rëndësishëm, që vërteton qartë që ky detyrim nuk ekziston”,- deklaron Kevin Saliu.

K.H.