Një 80-vjeçare prej katër netësh po e zbardh natën jashtë vetëm 10 metra larg nga kisha katolike e 30 metra nga godina e bashkisë së qytetit të Durrësit.
Përmbaruesit e kanë nxjerrën të moshuarën, Fatmira Spaneshi nga dhoma që ka jetuar për vite të tëra, e cila i është kthyer kishës katolike.
E mbetur në mes të katër rrugëve e moshuara po fle jashtë në derë të një garazhi. Banorët e lagjes thonë se 80-vjeçarja vizitohet nga një djalë që ka në Durrës, i cili ka sjellë ushqim. Por ajo po fle e po qëndron çdo natë jashtë, në disa kartona të shtruar, e nga i ftohti mbrohet me disa plasmasë që ja kanë dhënë kalimtarët.
Banorët e lagjes i bëjnë apel bashkisë të gjejë një zgjidhje për të moshuarën e cila po qëndron jashtë në të ftohtë. Sipas banorëve nuk është aspak normale që një e moshuar të hidhet në rrugë, për më tepër që është edhe e sëmurë.
“DurrësLajm” kërkoi të kontaktonte me përfaqësues të kishës katolike në Durrës, por në kishë nuk kishte njeri, ndërsa përfaqësuesi ligjor i saj nuk e hapi telefonin. Edhe bashkia e Durrësit e vënë në dijeni për rastin, nuk ka reaguar.
Ky është një rast i ripërsëritur në Durrës. Kujtojmë që pak vite më parë, ish-pronarët nxorrën në rrugë të moshuarën Sofie Qendro dhe djalin e saj Llazin. Ajo I kaloi ditët–netët në lulishten para bashkisë së qytetit, derisa ndërroi jetë në stolin e lulishtes për shkak të të ftohtit dhe sëmundjeve kronike.
K.H.





