Në këtë prag ndërrimi vitesh, kur shumëkush nga ne ndalet pak minuta për të reflektuar lidhur me mbylljen e një tjetër kapitulli 365 ditor të jetës sonë, gazetari i njohur durrsak Gëzim Kabashi ka hedhur në tregun e botimeve të reja përmbledhjen e tij më të fundit “Rrëfimet e një qyteti”.

Nuk është punë e një viti apo një dekade, por personazhet e këtij libri shtrihen në një hark kohor prej çerek shekulli.

Në këtë përmbledhje të dytë të tij, pas asaj të titulluar “Me artistët e qytetit”, Kabashi sjell portretet e 75 personazheve durrsake, disa shumë të njohur, disa të tjerë disi më pak, të cilët autori i ka intervistuar përgjatë rrjedhës së viteve, gjatë punës së tij si gazetar.

“Janë njerëz të thjeshtë, janë njerëz që nuk i kanë rënë gjoksit për punën e tyre, përkundrazi e kanë quajtur një gjë normale”,- thotë autori Kabashi në prononcimin e tij për “DurrësLajm”.

Redaktorja e librit dhe njëkohësisht studiuesja e letërsisë Teuta Dhima, e cilëson këtë përmbledhje një kujtesë të qytetit.

“Lexuesi merr një kujtesë të qytetit, sepse Gëzim Kabashi jo vetëm i ka mbledhur dhe i ka sjellë bashkë këto shkrime e rrëfime, por e ka bërë edhe lexuesin bashkëudhëtar emocional në to”,- thotë Dhima.

Për shkak të punës së tij si njeri i medias, por edhe për shkak të dashurisë për qytetin ku u lind dhe u formua si profesionist, Kabashi ka njohur shumë nga njerëzit fjalëpak e punëshumë, që me kontributin e tyre kanë vënë nga një gur të vogël themeli në Durrësin modern, të kohëve tona.

Nga mjekët tek detarët, nga arkeologët tek historianët, njerëzit e letrave apo artistët e artit pamor, të gjithë gjejnë vend në fletët e librit të Kabashit.

“Janë të gjithë njerëzit e qytetit dhe mua më vjen mirë, që në këtë prag festash të fundvitit bëhen bashkë për t’i treguar edhe njëherë qytetit se i kemi vlerat tona prej kohësh”,- thotë Kabashi.

Dhe pikërisht këtë bagazh jetësor dhe profesional, gazetari Kabashi e vë në shërbim të qytetit, duke kontribuar për të forcuar memorien kolektive dhe për të mos lënë që pluhuri i kohës të mbulojë kontributin e personaliteteve, që jetën dhe punën e tyre e vunë në shërbim të Durrësit.

Në prononcimin e tij, Kabashi nuk lë pa përmendur edhe punën vetëmohuese të bërë nga redaktorja Teuta Dhima, të cilën nuk e sheh thjesht si një redaktore e përmbledhjes, por si njeriun që qëndron pas formatit me të cilin vjen i botuar ky libër me 75 personazhe.

Për Dhimën, por edhe shumë të tjerë që tani kanë pasur shansin ta kenë në dorë dhe ta lexojnë përmbledhjen “Rrëfimet e një qyteti” ky libër mund të jetë një dhuratë shumë e bukur për miqtë, familjarët apo dashamirësit e librit.

Në këtë rast nuk dhuroni thjesht një libër, por një pjesë të jetës së qytetit dhe njerëzve, apo siç e quan Dhima “pulsin” e Durrësit mijëra vjeçar.

M.B.