Prej 10 ditësh në kufirin e gjelbër që mbulon stacioni i Policisë Kufitare Kakavijë, është zhvilluar një operacion i përbashkët mes Policisë Kufitare Shqiptare, të Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si: DCAF Lubjana, OSBE, IOM, FRONTEX, CEPOL, Racviac Center, IISG, Marri dhe UNODC.

Në kuadër të zhvillimit të operacionit të përbashkët “DRINO 2018”, u organizua konferenca për shtyp me Zv.Drejtoreshën e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj dhe Drejtorin e DCAF Lubjana, z. Anton Travner si dhe Christopher Will menaxher projekti GIZ, Agjencia Gjermane për Bashkëpunim ndërkombëtar.

Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj dhe Drejtori i DCAF Lubjana, z. Anton Travner kanë vlerësuar si mjaft të suksesshëm këtë operacion pasi përtej çdo rezultati, operacioni kishte për qëllim shkëmbimin e eksperiencave, forcimin e bashkëpunimit, rritjen e besimit reciprok si dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë për këdo që merret me veprimtari kriminale ndërkufitare: se mes policive të rajonit nuk ka ndasi, por jemi një dhe për një qëllim, të parandalojmë dhe luftojmë paligjshmërinë.

Në fund të konferencës janë shpërndarë certifikata për të gjithë punonjësit e policive respektive që morën pjesë në operacion.