Ministri i Bujqësisë Genc Ruli viziton një ndër pularitë më të madha në kryeqytet
Mbështetja që do të ofrohet për bizneset në Agroindustri dhe përpunim
Në pak vite ka ndryshuar tërësisht raporti tregtar për shumë produkte dhe një ndër to është mishi i pulës. Nga mbizotërim i plotë i prodhimeve të importit, aktualisht kemi një përmbysje të situatës, ku më së shumti konsumohet mish pule i prodhuar në Shqipëri. Situatën aktuale e ka vënë në dukej dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i cili vizituat një ndër pularitë më të mëdha në vend. I pranishëm në pularinë e kompanisë Agrotek, ministri Genc Ruli tha se investimet e bëra në vitet e fundit në agroindustri dhe përpunim janë treguesi më i mirë i zhvillimit të biznesit. “Duke vizituar sot objektet e investimit të firmës Agrotek, ne kemi një dëshmi të qartë të progresit që po bën industria e prodhimit dhe përpunimit të mishit në Shqipëri.
Padyshim do të thoja një nga sektorët më modernë të prodhimit tonë bujqësor, qoftë për teknologjinë, që është më e kohës, qoftë dhe në avantazhin e prodhimit dhe bilancit tregtar. Vetëm për prodhimin e mishit të pulës, sot jemi në një realitet krejt tjetër nga 5-6 vjet më parë. Sot rreth 17 mijë ton të mishit të pulës, për më tepër të atij të freskët prodhohet në vend dhe rreth 11 mijë ton vijnë nga importi. Pra balanca ka ecur në favor të prodhimit vendas, rreth 60 për qind e kërkesës konsumatore plotësohet nga prodhimi vendas. Sigurisht ky realitet nuk ka qenë para 5-6 viteve, ku pjesa më e madhe e prodhimit të pulës vinte nga im porti”, -tha ministri Genc Ruli Duke ju përshtatur kërkesës së konsumatorëve, kompania Agrotek ka realizuar një cikël të mbyllur në prodhimin e mishit të pulës.
Kështu, kjo kompani prodhon ushqimin për pulat dhe kafshët, rrit shpendët si dhe i ther ato në një thertore moderne, duke siguruar kështu mish të freskët për konsumatorët. Ministri i Bujqësisë premtoi mbështetje për këtë sektor dhe tha se në një kohë të shkurtër në treg do të kemi vetëm prodhim vendas, si dhe do të realizohet eksport i mishit “Made in Albania”, “Unë do të vlerësojë zgjuarsinë e investitorit vendas për të kaluar drejt ciklit të plotë dhe të mbyllur. Agrotek ka realizuar një koncept mjaft të mirë të kësaj, duke nisur që nga prodhimi i ushqimit për kafshë dhe shpend, te bateria e prodhimit të pulës për mish e deri te thertorja, një nga më modernet që kemi në Shqipëri për therjen e pulës. Vetë shifrat dhe kapacitetet e këtij investimi flasin dukshëm për ndërhyrjen që është bërë në këtë drejtim.
Në këtë bateri ku jemi mbarështohen rreth 500 mijë pula në vit, ose rreth 1 mijë ton në vit. Pularia është moderne dhe me kapacitet rreth 1 mijë e 500 pula në orë. Ne presim që ky koncept investimesh, i ciklit të plotë dhe të mbyllur të gjejë shtrirje dhe të aplikohet dhe nga investitorë të tjerë. Sot ne kemi në marketet dhe supermarketet tona, prodhimi i mishit të pulës vendase është prezent, duke zëvendësua ndjeshëm prodhimet e importit. Shumë shpejt me çeljen e baterive të tjera të prodhimit të mishit të pulës, jemi të bindur që mund të kthehemi të vetëmjaftueshëm në këtë prodhim dhe në një kohë jo të largët mund të jemi dhe eksportues të mishit të pulës”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ndërkohë, menaxherët e kompanisë Agrotek thanë se pulat e markës Tik Tik do të eksportohen shumë shpejt. “Ne do të eksportojmë shumë shpejt. Kompania jonë sapo ka nisur marrëdhëniet tregtare me kompani kosovare.
Një nga vendet e para ku do të eksportojmë do të jetë Kosova. Kemi çuar disa kampionë, modele, mostra, lista të çmimeve dhe jemi drejt mbylljes së kontratës me një kompani kosovare”, – Mirush Bejko, menaxher i pularisë Tik Tik. Thertorja Në periferi të Tiranës është ndërtuar një prej thertoreve më moderne të shpezëve. Me një investim prej 1.6 milionë euro u hap thertorja me një kapaciteti prej 1 mijë e 500 krerë në orë. Aktualisht aty theren rreth 3 mijë – 3 mijë e 500 pula në ditë. Teknologjia është moderne e prodhuar në Danimarkë dhe në këtë investim janë rreth 32 të punësuar. Ambalazhimi dhe ruajtja janë teknologji gjermane e mishit të freskët, duke e dërguar prodhimin direkt në shitje. Ferma ka kapacitet 120 mijë pula në cikël, ose rreth 720 mijë pula në vit.