Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një varkë me 19 persona në bord u përmbys në Gjirin e San Franciskos, njoftuan autoritetet amerikane.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës të San Franciskos, ekipet e emergjencës morën një njoftim rreth orës 15:35 me orën lokale për një varkë që dyshohej se ishte përfshirë nga flakët rreth 550 metra larg ishullit Alcatraz. Me mbërritjen në vendngjarje, ekipet konstatuan se mjeti lundrues ishte përmbysur.

Një prej pasagjerëve humbi jetën, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të shpëtimit për ta rikthyer në jetë. Dy persona të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa një qen që ndodhej në bord u gjet i pajetë.

Autoritetet konfirmuan se në varkë ndodheshin gjithsej 19 persona. Deri më tani janë shpëtuar 16 prej tyre, ndërsa kërkimet për dy të zhdukurit vijojnë.

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë rrënojat e varkës së vogël me motor duke u fundosur në ujërat e Gjirit të San Franciskos.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse varka ishte nisur drejt ishullit Alcatraz, po largohej prej tij apo ndodhej në zonë për një arsye tjetër.

Alcatrazi, ish-burgu famëkeq që prej dekadash është kthyer në një atraksion turistik, ndodhet në një zonë ku ujërat janë zakonisht shumë të ftohta gjatë gjithë vitit, çka e bën edhe më të vështirë mbijetesën në raste aksidentesh të tilla.