Pas motit të keq një ditë më parë, në disa hapësira publike në shëtitoren “Taulantia”ka ende prezencë uji.

Në zonat ku janë vendosur lodrat për fëmijë, si edhe pranë stolave të përdorur nga qytetarët, janë krijuar pellgje të mëdha uji, duke vështirësuar shfrytëzimin normal të këtyre hapësirave publike.

Megjithatë, pavarësisht situatës, disa fëmijë kanë zgjedhur të argëtohen mes ujit, duke e kthyer këtë realitet në një moment loje.

Kjo nuk është hera e parë që hapësira të shëtitores “Taulantia” përmbyten nga uji, pasi që nga përfundimi i rikonstruksionit të saj në vitin 2020, fenomeni është përsëritur shumë herë, në ditët me reshje.