Përmbyten sërish rrugët e Durrësit. Reshjet e shiut të mbrëmjes së sotme kanë rikthyer problematikën e përhershme të rrugëve kryesore të qytetit bregdetar.
Pamjet filmike të xhiruara nga fotografi Denis Simaku tregojnë akset kryesore të mbuluara nga uji, ndërsa në rrugë qarkullojnë vetëm automjetet.
Niveli i ujit ka arritur në disa centimetra dhe mund të rritet edhe më shumë nëse reshjet vazhdojnë. Madje në disa zona ai ka “pushtuar” trotuaret.
Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që rrugët e Durrësit janë nën pushtetin e ujit. Investimet e vazhdueshme për rikonstruksionin e akseve rrugore dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për qytetarët. Sa herë regjistrohen reshje intensive, Durrësi i përngjan gjithnjë e më shumë Venecias.





