Teatri antik i Apolonisë është përmbytur sërish nga shirat e ditëve të fundit, duke e thelluar dëmin e bërë në fillim të muajit dhjetor. Kjo ka sjellë rrëshqitje të mëtejshme të dherave, në një gjatësi prej një metri. Lajmi konfirmohet nga vetë drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali. I kontaktuar dje nga "Gazeta Shqiptare", ai tha se shirat e ditëve të fundit kanë dëmtuar për së dyti gjatë këtij viti zonën pranë teatrit.

"Në ditët kur ka pasur reshje ne jemi përpjekur që ta pastrojmë zonën nga uji, duke e larguar atë me motopompë, po pas një ore shi, gjithçka kthehet si në fillim. Duket si legjenda e Rozafës", – sqaron Haxhimihali. Nga ana tjetër, ai nuk sheh zgjidhje të këtij problemi para stinës së pranverës, çka nënkupton mot më të mirë.

"Me ikjen e dimrit shpresojmë të ndërhyhet, duke marrë parasysh studimin gjeologjik", – thotë drejtori i parkut. Ai e sheh të domosdoshme, në mos asgjë tjetër, një ndërhyrje tek burimi i nëndheshëm. "Shkaku më i madh i kësaj që po ndodh ka të bëjë me burimin e hershëm nën dhé që s'është marrë parasysh. Duhet krijuar një lloj rrjeti që e shkarkon ujin diku tjetër, për të zvogëluar dëmin e përmbytjen", – përfundoi ai.