Reshjet intensive në Durrës kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në zonën e Kënetës. Rreth 200 familje sot ndodhen në një situatë kritike, uji u ka hyrë në shtëpi, duke e bërë të pamundur daljen e tyre nga banesa.
Shkak është bërë bllokimi i kolektorit të ujërave të larta, çka ka sjellë si pasojë përmbytjen e rrugëve, dhe rreth 7 parcelave tokë në zonën nga burgu i Durrësit deri në mbikalimin e Shkozetit.
Banorët kanë dalë për të protestuar duke i kërkuar pushetit vendor që të marra masa urgjente. Ata shprehen se kanë lajmëruar që në orët e para të mëngjesit prefektin e Durrësit, por ndërkohë janë ende në pritje.
Nga ana tjetër, shkolla 9-vjeçare në Kënetë është ndërprerë fare gjatë ditës së sotme, jo për shkak të festës së 8 Marsit, por pasi fëmijët kanë braktisur mësimin, sepse nuk kanë mundësi që të shkojnë në shkollë. E gjithë zona e tyre ndodhet nën pushtetin e ujit.





