Situatë e rënduar në zonën e Vadardhës, në Sukth për shkak të daljes së Erzenit nga shtrati. Paraditen e kësaj të premteje, gjendja paraqitet kritike, për shkak se dëme të konsiderueshme janë shkaktuar, jo vetëm në banesa, por edhe në bizneset e zonës.

Pronari i një biznesi thotë së dëmet janë të konsiderueshme për shkak të ujit që u ka depërtuar brenda subjektit, ndërkohë që i tremben faktit se situata mund të rëndohet në orët në vijim dhe niveli i ujit të rritet edhe më shumë.

Në Njësinë Administrative Sukth janë rreth 5000 ha tokë bujqësore të përmbytura si dhe lagjet 2, 3, 4 dhe pjesë e Sukthit janë nën ujë.

Sipas raportit të Shtabit të Emergjencave të qarkut Durrës, në Katundin e Ri dhe zonën e Sukthit: dalja e Erzenit dhe çarja e argjinaturës kanë përmbytur fshatrat Erzen dhe Fllakë, ndërsa Qerreti është në rrezik. Rreth 1000 ha tokë bujqësore janë të përmbytura.