Moti i keq ka përfshirë rajonin duke shkaktuar përmbytje. Situata paraqitet problematike në Greqi, ku u shënuan dhe 3 viktima nga përmbytjet.
Sipas mediave greke, një grua dhe dy burra u mbytën nga shirat e rrëmbyeshëm që ranë gjatë orëve të natës në qytetin Mandra.
Gruaja e moshuar u gjet e vdekur brenda apartamentit të saj në katin përdhesë pasi ujërat i kishin bllokuar derën e banesës. Viktima e dytë, një burrë i moshuar u nxor i vdekur nga shtëpia e tij që ishte përmbytur. Viktima e tretë, një 65-vjeçar, u gjet i pajetë në një oborr banese.
Ndërkohë, shumë persona të tjerë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore e shumë automjete janë përmbytur.
Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugë, në shumë akse kombëtare të shtetit grek është pezulluar qarkullimi i automjeteve. Edhe autostrada Korinth-Athinë është bllokuar nga përmbytjet.