Mijëra banorë të qytetit australian Taunsvill janë paralajmëruar për përmbytje të paprecedenta, pasi portat e digave janë hapur tërësisht të dielën në kushtet e reshjeve të dendura të shiut që nuk po ndalen.

Shiu në Kuinslend, ku edhe ndodhet Taunsvilli, ka bërë që diga e lumit Ross të përballet me një sasi uji që i kalon kapacitetet e saj.

Zyrtarët më herët paralajmëruan se rreth 20 mijë shtëpi mund të mbulohen nga uji. Makina dhe bagëti janë rrëmbyer ndërkaq nga uji në qytetin bregdetar të shtetit verilindor.

Të dielën, Byroja Australiane e Meteorologjisë paralajmëroi për rreziqe për jetën dhe pronën ndërsa portat e digës u hapën. Diga do të çlirojë 1900 metra kub ujë në sekond, një sasi kjo shumë e rrezikshme.