Ashtu siç ndodh gjithmonë në ditë më shi, (nuk ka rëndësi kohëzgjatja e reshjeve) Durrësi edhe këtë të martë u zgjua nën pushtetin e ujit.
Situata ishte e rënduar në shumë akse të qytetit bregdetar, ku qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve ishte thuajse i pamundur, pasi uji kishte kaluar edhe nivelin e trotuareve.
Në lagjet periferike, disa familjeve iu ka hyrë uji në banesa dhe disa të tjerave iu ka depërtuar në oborret e shtëpive.
Bizneset janë detyruar të ulin qepenin se klienti i kësaj dite është vetëm uji i shirave i bashkuar me llumin që ka mbuluar këtë qytet falë investimeve gjysmake.
Në kanalet dytësore, uji ishte në maksimumin e tij dhe në disa prej tyre ka dalë nga kanali si në Kënetë dhe në Shkozet, ndaj banorët në këto zona sot kishin “mundësinë e artë” të kishin detin në pragun e tyre.
Por kjo nuk është diçka që ndodh për herë të parë në Durrës, ndaj edhe shumëkujt nuk i bën më përshtypje.
Ne jemi mësuar me rrugë që çahen herë pas here, me pretendimin se projekti i radhës do të evitojë përmbytjet, me lekë të shkuara dëm dhe jeta ka vazhduar në anormalitet.
Ka nga ata që krahasojnë përmbytjet e herëpashershme të Durrësit me ato që ndodhin në Itali a gjetkë, dhe sipas tyre është normale që të ndodhë kjo përsa kohë jemi në stinën e reshjeve.
Shumë prej tyre mendojnë se ngjarje të tilla ka edhe në botë, madje bëhen edhe filma, ku protagonistë janë qytetarët në zemër të qytetit me çizme deri mbi gju.
Ndaj në këtë ditë me shi, të gjithë me kokoshka në duar dhe sytë nga televizori me shpresën e vetme se reshjet e radhës nuk do të jenë shumë shpejt…





